Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rastin e sanitares të spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tira Alldervishi, që i mori 8 milionë lekë të vjetra vajzës së një pacienteje me koronavirus, duke i premtuar shërbim për të ëmën.
Nga qendra shëndetësore nr.1, Rama tha se “çdo pyll ka derra”. Ai gjithashtu tha se kurrsesi ata që abuzojnë me bluzën e bardhë nuk janë shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar të vendit.
Rama e konsideroi Tira Alldervishin “personazh të turpshëm”, që në asnjë mënyrë nuk mundet të përbaltë personelet mjekësore.
Nën akuzat për mashtrim dhe zhvatje, Gjykata e Tiranës vendosi sot për 58-vjeçaren masën “Arrest me burg”.
Pacientja me Covid-19 ndërroi jetë 28 ditë pasi ishte shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” me simptoma të virusit, ndërsa në komunikimet me vajzën e saj – e cila i dha 8 milionë lekë të vjetra Tire Alldervishit – ankohej vazhdimisht se nuk merrte shërbim.