E marta nisi në mëngjes herët me një video-mesazh nga ambasada amerikane në Tiranë, e cila shpjegonte se SHBA është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin. Duke shpjeguar nenin e famshëm 7031(c) që u ka ndaluar hyrjen në SHBA tre zyrtarëve dhe ish-zyrtartëve të lartë shqiptare, Uashingtoni angazhohet se do të vazhdojë refuzimet e vizave për politikanët e korruptuar.
Ky është një tjetër video-mesazh nga SHBA, që synon të sigurojë shqiptarët se ata do e luftojnë korrupsionin shqiptar me mënyrën e tyre, ndërkohë që vetë shqiptarët vazhdojnë të mos e luftojnë korrupsionin, pavarësisht se ka tre vite që iu është premtuar një reformë në drejtësi.
Pikërisht pas publikimit të këtij video-mesazhi, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u takua me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews është përgjegjës për Ligjzbatimin dhe Luftën ndaj Narkotikëve.
Në kohën kur edhe vendet e BE kanë nisur të shqetësohen për ngecjen e reformës në drejtësi, amerikanët po nxitojnë që të tregojnë se ‘krijesa’ e tyre, SPAK, nuk do të ndalet. Ky takim i Andrews vjen pikërisht në kohën kur ngritja e Prokurorisë së Posaçme po zvarritet dhe është mbuluar nga një ‘tymnajë’.
Kjo zvarritje mund të lëkundë akoma më tej besimin e opinionit publik dhe zyrtari i DASH u përpoq në mbrëmje të theksojë tek Zëri i Amerikës se SHBA kanë një përkushtim të palëkundur për SPAK dhe BKH-në.
Një tjetër arsye se përse Andrews vizitoi Tiranën mund të lidhet edhe me çështjen e drogërave të forta, që sipas mediave europiane po ‘përmbysin’ Shqipërinë. Aktualisht, Andrews mbikëqyr programet e Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikeve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në Europë dhe Azi. Më herët ka qenë i angazhuar në 3 programet më të mëdha të Byrosë, në Kolumbi dhe Meksikë. Në të dyja vendet e shënjuara rëndë nga aktiviteti i bandave kriminale e karteleve të drogës, ai ka mbikëqyrur programe mbështetëse për sigurinë të qeverisë amerikane, për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike, njëkohësisht duke forcuar institucionet në sektorë të drejtësisë.
A ka lidhje kjo vizitë e tij me shqetësimin për drogërat e forta në Shqipëri? I pyetur nga Zëri i Amerikës se përse Shqipëria, sipas raporteve të DASH, po bëhet gjithmonë e më shumë një vend tranzit për kokainën dhe heroinën, ai nuk dha një përgjigje direkte. Po ashtu nuk u përgjigj direkt as për pyetjen se korrupsioni i madh po kufizon luftën ndaj drogës.
Andrews insistoi se reforma në drejtësi do të jetë përgjigjia më e mirë për këtë situatë, si për të konfirmuar edhe më shumë dyshimet se gjërat nuk po shkojnë mirë në vend.