fbpx

Dikur

Zhvillime në qarkun e Elbasanit në periudhën korrik–shtator 1944





               Publikuar në : 09:19 - 12/09/19 |
Nga Veli Haklaj

-Realitete shqiptare gjatë pushtimit gjerman


Nga Veli Haklaj



VIJON NGA NUMRI I KALUAR


Në pjesën e fundit të këtij punimi, do të publikojmë fakte nga dokumentet arkivore për zhvillime me interes në rrethet e Qarkut të Elbasanit, gjatë periudhës korrik–shtator 1944. Ndër dokumentet që sjell informacion të rëndësishëm është raportimi i Komandantit të Zonës së Operacionit të Krahinës së Elbasanit dhe Tiranës, kapiten I-rë Xhelal Staravecka, për veprimet operative të kryera nën drejtimin e tij në Qarkun e Elbasanit dhe Tiranës. 

  1. Informacioni i Xhelal Staraveckës për veprimet operative në Qarkun e Elbasanit dhe Tiranës

Më 10 korrik 1944, Komandanti i Zonës së Operacionit të Krahinës së Elbasanit dhe Tiranës, kapiten I-rë Xhelal Staravecka, i drejtoi Komandës së Përgjithshme të Operacionit, në Elbasan, Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Komandës së Zonës së Operacionit Tiranë-Durrës-Shijak-Kavajë këtë informacion:

Më datën 1 korrik 1944, në bazë të urdhërit telegrafik të Komandës së Përgjithshme të Operacionit u nisa për të operue në Zonën e Komunës Zaranikë të Elbasanit, pse çeta rebelësh në lëvizje në atë krahinë kishin shkue dhe djegë e plaçkitë Jonuz Cenen, nga katundi Cerinjë, e të tjera. Me një fuqi prej 90 xhandarësh të Qarkut të Tiranës, 45 të Gardës së Regjencës e 50 veta fuqi civile të Lumës, më datën 2 korrik, arritëm në katundin Mamel e që andej duke u vënë në ndjekje të rebelëve operova këto katunde: Gogaj, Dopej, Shingjin, Stafaj, Brenesh, Cerunj, Mollagjesh, Rozovë, Kore, Fravesh, Pashkashesh, Kullojkë, Fagë e Vakuman të Qarkut të Elbasanit.

Në përshkrimin e këtyre katundeve, veç Fraveshit, Kullojkës, Vukamnit e Kores që bëra çarmatimin, të tjerat katunde shiheshin se veç nga frika u nënshtroheshin vullnetit të rebelave. Posa mbarova operacionin e Zonës së Elbasanit në ndjekje të rebelave, u hodha në katundin Shëngjergj të qarkut të Tiranës. Në këtë katund dhe në krahinë, sikurse dihet mirë, se dy kryetarët preponderojnë në popull.

Osman Mema, i ashtuquajtur nacionalist, por në të vërtetë njeri dallaverexhi me shumë faqe, dhe Ali Shtëpani, po i atij katundi, i lidhur me partinë rebele, po njeri i vendosur. Në mes këtyre dy kryetarëve ka pasë ekzistue një farë armiqësie, sado që janë dhe miq.

Natyrisht dihet mirë se në vendin tonë, për atë përçarjen e zakonshme që kanë shqiptarët kur paraqiten dy parti, shumë shpejt njëra hidhet në anën e kundërt të tjetrit pa marrë parasysh se cili âsht plani ose puna e partisë, në të mirën apo në të keqen e Kombit Shqiptar.

Në mes këtyne dy familjeve, të Memës dhe Shtëpanit, puna bâhesh për partinë rebele (Partinë Komuniste), pse Shtëpani i vendosur dhe aktiv punon pa pushim. Bân mbledhje, merr vendime, djegë shtëpija dhe plaçkitë, si ajo e Junuz Cenës në Cerunjë, ndërsa Osman Mema hidhet dhe përdridhet me fjalë për punë dhe aktivitet në të mirën e Nacionalizmës.

Pjesa e banorëve të katundit të Shëngjergjit që ishte e lidhur me Ali Shtëpanin e partinë rebele ka qenë shumë aktive. Atje ishte foleja e depove dhe e veprimeve të partisë rebele, ndërsa pjesa tjetër e lidhur me Osman Memën ishte akoma në gjumë, pse kryetari i saj shkonte me kompromise e dallavere duke iu ruajtur kompromentimit direkt dhe luftës së hapur. Edhe një farë fuqie të vogël që ka Osman Mema prej fare e fisit të tij, këtë e kishte për të mundur të shpëtonte natyrisht me ikë dhe jo me kundraveprim që mund t’i bante nga sulmi Ali Shtëpani e partija.

Kur hyra në këtë katund, brenda një kohe të shkurtër studiova çështjen si qëndronte. Rrethova shtëpinë e Ali Shtëpanit e shtëpitë e katundit të lidhura me partinë. Ali Shtëpani shtëpinë e tij e kishte boshatisur prej kohësh, pse kishte hyrë në ilegalitet. As në shtëpinë e tij, as në atë të Ferit Pemës dhe të Ali Zymës nuk u gjet. Ferit Pema mundi të shpëtojë nga rrethimi, pse në atë kohë që vajtëm për rrethim doli. U hap zjarr nga xhandarët tanë, por s’munden me e vra, pse edhe dyshimi i njohjes.  Ndërsa Ali Zyma nuk ishte në banesën e vet. Të nesërmen, duke parë se jo vetëm për të shpërblyer arratin e Ali Shtëpanit dhe të veprimeve antikombëtare që kishte zhvilluar, por për ta kompromentuar në fushë të hapur Osman Memen, i dogja shtëpinë Ali Shtëpanit dhe atë të Ferit Pemës. Ndërsa atë të Ali Zymës nuk e dogja, pse mbas një afati prej pak orësh që dhashë, jo vetëm që u dorëzue, por më rrëfeu depon e partisë që kishte në shtëpinë e vet. Po në atë katund dogja shtëpinë e një farë Bitri, ngaqë edhe ky jo vetëm që ishte arratisun, por edhe kishte qenë si bazë spitali. Një pjesë pre 20 – 25 katundarësh që ishin lidhur me partinë rebele i çarmatosa. Në depon e partisë gjeta një mortajë të madhe dhe një mortajë të vogël, një mitraloz të rëndë Breda, një mitraloz të rëndë Fiat, 5 pushkë të prishuna, 2 arka me gjyle topi, 4 arka municion për mitraloza të rëndë, 1 arkë me vegla armësh, 5 arka me bomba murtajash e 1 arkë me pafille topi. Arkën me gjyle topi e eksplodova në zjarr, sepse ishte e rëndë. Nga Shëngjergji u drejtova nga katundet Damej, Murth, Dashe e Selbe. Në Selbe bëra çarmatim.

Më datën 10 korrik 1944, ora 17.00, lë Murthin, kaloj në krye të katundit Selbe me fuqinë e Gardës, disa ushtarakë të Qarkut të Tiranës dhe personelin duke pasur kafshët të ngarkuara me materiale, pse fuqinë e xhandarmërisë së Qarkut nën komandën e nëntoger Gjon Dedanit dhe atë të Lumës nën komandën e Sul Gjoçës i kisha lënë njërën në katundin Dreshen dhe tjetrën në Selbë të Epërme; kaloj në Qafë të Selbës dhe drejtohem për në Priskë. Në Priskë, pikërisht në afërsi të kreut të katundit, takoj një bari bagëtish, të cilin e pyeta se ç’të reja kemi nga kjo anë. Bariu u përgjigj se në mes të ditës në katund ishte bërë një luftim. Atëherë me fuqinë që kisha aty vazhdova udhëtimin, por pa kaluar mirë rebelat hapën zjarr mbi neve. Sado që përbëheshin prej 60 vetash i kundëratakuem. Luftimi ka qenë i rreptë, pse zjarri nga ana e kundërshtarit ishte i dyfishtë, meqë luftonin kundër nesh edhe katundarët e Priskës, duke na konsideruar si fuqi partizane. Mbas një orë  e gjysmë lufte më arriti fuqia e xhandarmërisë së qarkut e komanduar prej nëntoger Gjon Dedanit. Menjëherë skalionova fuqinë në formacion lufte duke forcuar krahun e djathtë e duke siguruar krahun e majtë e vetë në qendër, vura në përdorim murtajën dhe fillova goditjet, që kanë qenë precize pse bombat ranë në mes të rebelave. Mbas 5-6 qitjesh zjarri i anës rebele filloi të pakësohej, atëherë me një sulm morëm pozitat e kundërshtarëve.

Ishte ora 22.00, kur fuqia e jonë u afrua shtëpijave të para të mëhallës së sipërme të atij katundi, mirëpo fshatarët që na dinin partizanë vazhduen luftën e tyne, kështu që na u deshen tri orë e sa për të marrë katundin me luftë nga fshatarët. Gjatë kohës që luftojshim me fshatarët, pse dhe neve i dinim rebela, partizanët të shpartalluem në mënyrë të turpshme u tërhoqën në drejtim të Prezës, mbasi në këtë anë, apo n’atë të rrugës Elbasan–Tiranë afër katundit Far filluen të japin shenjat e mbledhjes mbas shpartallimit. Mâ vonë, në të gdhirë të datës 11 korrik u mblodhën fshatarët nëpër shtëpija. Gjatë këtij veprimi edhe xhandarët e Postës së Priskës ikën nga pamundësia e luftimit kundër nesh, që na kishin marrë për rebela.

Në luftim âsht shquar trupa e Gardës me gjithë oficerin e saj toger Hajdar Levendin si dhe xhandarmëria e Qarkut me gjithë oficerin Gjon Dedanin, i cili u rrëfye i sakrificës. Reparti Civil nuk u fut në luftë, mbasi arriti vonë, vonim i shkaktuar prej tyre për të mos u futur në rrezikun e luftës.

Kur âsht nisë i nënshkruemi (Xhelal Staravecka) për operacion, vullnetarisht erdhën dy djelmosha, njëri Luan Baçi, me banim këtu në Tiranë, i cili ka qenë partizan, por që kur është shkëputur nga partia i nëshkruemi âsht shkëputur edhe Luan Baçi, i cili ka shërbye me vullnet të patundur duke ju folur fshatarëve mbi qëllimet kriminale të Partisë Komuniste dhe ka torturue e ndjekur e djegur shtëpija të besnikëve të partisë. Gjithashtu vullnetarisht mori pjesë në këtë operacion dhe djaloshi Ferik Vogli, nga Tirana, i cili është treguar mjaft aktiv.

Kjo tregon se pjesa e rinisë që âsht shkëputur megjithë mend âsht vendosur të punojë kundrejt partisë deri në vdekjen e përhershme të saj.

Gjatë luftimit kemi patur vetëm një plagosje të lehtë, tetar Sherif Selmanin, nga xhandarmëria e qarkut të Elbasanit.

Gjatë operacionit, n’atë pjesë të krahinës së Elbasanit, kemi konstatuar se populli nuk e do partinë. Në disa katunde ku mund të ndodhen simpatizonjës të saj, këta prevalojnë, pse herë pas here venë çetat me anë të të cilave terrorizohet tërë ajo popullsi, prandaj, për t’i dhënë shpirt atij populli që është kaq i trembur nga partija, duhet të dërgohen njësitë ushtarake e civile vullnetare që të përshkojnë edhe një herë, kështu populli ka për t’u ndodhur para faktit që partija ka vdekur dhe qeveria është forcue dhe garanton qetësinë e popullit.

Për në krahinën e Tiranës, të Postëkomandës së Shëngjergjit dhe të Priskës âshtë nevoja të shkojë dhe një operacion tjetër.

Për Postëkomandën e Priskës propozoj që të bâhet serioze duke dërguar 125 xhandarë në bashkëpunim të fortë me popullin trim t’atij katundi. Ju siguroj se çeta rebele deri në 200 vetë nuk kanë për të patur sukses por veçse humbje.

Në këtë operacion u mblodhën 102 armë të ndryshme, pjesërisht jo në gjendje të mirë, nga të cilat 12 armë iu dhanë Postëkomandës së Shëngjergjit.

Komandanti i Zonës Operacionit të Krahinës Elbasan e Tiranë

Kapiten I Xhelal Staravecka d.v.

Nga Komandanti i Zonës së Operacionit Tiranë-Durrës-Shijak-Kavajë, major Hamdi Isufi, ky informacion iu përcoll dhe Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

  1. Intensifikimi i sulmeve të fuqive komuniste

Më 13 gusht 1944, në orën 2.55 mbas mesnate, u sulmua prej fuqive komuniste qyteti i Peqinit me mitraloz, murtajë e armë të ndryshme, nga verilindja në kodrinat dominuese të qytetit. Në luftim e sipër, që zgjati deri në orën 4.30, në mes fuqive qeveritare e forcave partizanëve, nga granatat e murtajës të shtime nga komunistët u plagosë në banesë familja e Vasil Lalës. Plagët i kishin të lehta dhe parashikohej të shëroheshin brenda dhjetë ditësh. Kurse Kadri Sallës, biri i Lahut e i Mines, 26 vjeç, iu vranë e plagosën 32 krenë dele, dëm i cili kapte shumën e 6 400 fr.shq.

Më 14 gusht 1944, në orë 10.00, kompania e II-të e detashmentit vullnetar të Peqinit, me rastin e një patrullimi që bënte në rajonin e katundeve Garunjë e Madhe, në Methasej, 10 km në verilindje të Peqinit, kishte bërë përpjekje me një çetë komuniste prej 150 vetësh, e kryesueme nga Nevrus Gjergjova e Mahmut Bedalli. Në vazhdim të konfliktit, kompanisë në fjalë i vajtën në ndihmë dy kompani të tjera të detashmentit, që edhe këto ishin në afërsi të këtij vendi. Edhe komunistëve u shkoi në ndihmë një fuqi prej 200 vetësh nga Vrapi dhe nga njësitë e Pezës dhe kështu konflikti vazhdoi deri në orën 20.30, të datës 14 gusht. Në përfundim, çeta komuniste u thye duke marrë drejtim prapë për në Vrap. Kurse nga fuqitë e detashmentit nuk u bë ndonjë dëm, as nuk u vërtetue ndonjë dëm i partizanëve.

Po më 14 gusht, fuqi komunistësh shkuan në katundin Shtermenë dhe i vunë zjarrin shtëpisë së Mihal Memës dhe gjatë kësaj dite kishin mundur të rekrutojnë ushtarë në katundet Shtëpanjë, Gostimë e Shtermenë, por në sulmin që iu bë prej fuqive të Rrethkomandës së Gramshit, në bashkëpunim me ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e major Alush Leshanakut dhe të Reshat Biçakut, u shpartalluen duke mos lënë rast që të marrin asnjë ushtar. Qarkkomanda e Elbasanit informonte se “në këtë luftim u dallua fuqia e Rrethit të Gramshit, e cila kishte mundur këmba-dorës me ndjekë komunistat deri në katundin Shënavlash”.

Sipas informatave që nuk vërtetoheshin mirë, më 19 gusht në katundin Bixullë, Qafa e Pinarit, ishte vërtetuar një përpjekje me armë, mëse një orë, ndërmjet fuqive nacionaliste nën komandën e Alush Leshanakut dhe atyne komuniste. Në përfundim fuqitë nacionaliste ishin tërheqë e përqendruar në katundin Gur i Bardhë.

Ndërkohë, Prefektura e Beratit njoftoi Prefekturën e Elbasanit më 19 gusht se brigada e gjashtë komuniste, që kishte qenë në afërsi të Beratit, ishte nisur për në rajon të Nënprefekturës së Gramshit. Për t’i bërë ballë kësaj fuqie komuniste që dyshohej se nga rajoni i Gramshit do zbriste në zonat Shpati I e Shpati II, të Dumresë, Prefektura e Elbasanit nuk dispononte asnjë fuqi, sepse fuqia e pakët e postave të xhandarmërisë të Rrethit të Elbasanit ndodhej me shërbim për të ndihmuar fuqinë vullnetare të major Alush Leshanakut, që vepronin në rajonin Zaranikë, Bixullë, nga veriu i Elbasanit, dhe në zonat e jugut të Elbasanit, kurse në Malasejë ndodhej vetëm një fuqi e pakët e xhandarmërisë së Rrethit të Gramshit që vepronte si fuqi detashmenti në atë krahinë, bashkë me një fuqi vullnetare civile, e cila nuk lidhej aspak me Prefekturën dhe as që lidhej me ish-Komandën e Operacionit, po varej direkt nga Komanda Gjermane lokale dhe vepronte vetëm për llogari të saj e simbas urdhërave të saj.

Prandaj, për të mundur me u bërë ballë sulmeve eventuale që mund të bëheshin nga brigada e gjashtë jo vetëm në zonën Shpat i I-rë, Shpat i II-të dhe Dumre, por edhe në qytetin e Elbasanit, e për më tepër të ndalohej kalimi e saj për në Shqipërinë e Veriut, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, i lutej Ministrisë së Punëve të Brendshme që të  dispononte urdhëra me ngutësi që sa më shpejt të dërgohej në Elbasan një fuqi e mjaftueshme për riforcimin e fuqisë së pakët që ishte në këto krahina dhe në këtë mënyrë t’u bëhej ballë sulmeve të fuqive komuniste.

Duhet theksuar se komanda gjermane gjithnjë vihej në dijeni për të tilla veprime të fuqive komuniste, por deri në momentin e këtij komunikimi nuk kishin dhënë asnjë ndihmë.

Po më 19 gusht, Nënprefektura e Gramshit mori informacion nga një person i sigurtë se në rajonin e Gramshit, në lagjen Han të katundit Kodovjat të Nënprefekturës së Gramshit, kishte ardhur një fuqi komuniste prej dy brigadash, brigada e gjashtë dhe brigada e pesëmbëdhjetë, të cilat thuhej se përbëheshin prej 1 500 vetësh, dhe ishin shtrirë në katundet Gramsh, Çekin e Crunjë, duke e nxjerrë Komandën e Vendit të mbledhin kafshë ngarkese për ta dhe për çdo katund 150 e 200 kile bukë me shpejtësi dhe kishin pyetë katundarët se cila rrugë pret më shkurt për në drejtim të Qafë Thanës. Nuk dihet se ç’drejtim kishin marrë.

Edhe Qarkkomanda e Elbasanit informoi më 22 gusht 1944 Komandën e Zonës Vepruese të Mesme, Tiranë, mbi brigadën e gjashtë komuniste. Sipas informacioneve të Rrethkomandës së Gramshit, me qendër në katundin Malasej (Shpati i II-të), në rajonin e komunave Shtepanj e Gjinar, në katundin Drizë, kishte ardhur një fuqi prej një mijë vetësh, të cilët ishin pa krejt të veshur me rroba të reja duke pasë me vete kafshë me material.

Sipas informacioneve, kjo fuqi kishte ndërmend të sulmonte fuqitë vullnetare e ato të xhandarmërisë, që ndodheshin në afërsi të asaj zone, dhe mandej me zbritë në rajon të komunave Shpat i I-rë dhe Shpat i II-të dhe në Dumre.

Për t’i përballuar këtij sulmi që eventualisht mund të ndodhte, kërkohej që të dërgohej një fuqi riforcimi e mjaftueshme.

Më 23 gusht, brigada e 6-të arriti në fshatin Gjinar dhe një pjesë e saj shkoi në katundin Polis. Deri më 24 gusht, fuqitë komuniste kishin okupuar rajonet e komunave Shtepaj, Gjinar e Belsh. Ishin duke bërë rekuizime kafshësh. Brigada e 6-të komandohet prej Tahir Kadaresë. Fuqitë komuniste që ndodheshin në rajon të komunave Shtepaj e Belsh prej 350 vetësh, komandoheshin prej Petrit Hakanit, Kadri Musajt e Rahman Oruçit. Thuhej se në Shtepaj ndodheshin edhe major Spiro Moisiu e Esat Dishnica. Fuqitë qeveritare dhe ato vullnetare nën komandën e major Alush Leshanakut ishin tërhequr dhe ndodheshin buzë Shkumbinit, në katundin Vidhas, dhe në rrugën e Krrabës. Qarkkomandanti i Elbasanit major Nazmi Lumani, në informacionin dërguar Komandës së Zonës Vepruese të Mesme, Tiranë, dhe Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, theksonte se “jemi në marrëveshje me komandën gjermane për me na dhënë ndihma për të bërë mësymjen kundër tyre”.

  1. Situata Operative më 20 dhe 24 gusht

Sipas informacionit të Qarkkomandës së Elbasanit drejtuar Prefekturës së Elbasanit dhe Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, rezulton kjo situatë gjatë 24 orëve të datës 20 gusht 1944:

1) Rrethkomanda e Librazhdit u informua se fuqitë komuniste të Mokrës, në rekrutimin e përditshëm që bënin, kishin mbledhur një sasi njerëzish të huaj dhe vendas gati prej 300 vetësh, Kjo fuqi, duke qenë nën drejtimin e Sami Lekës, Xhevat Blloshmit, Zyko Kalivaçit, P. Kullollit, Dervish Nofullës dhe Qamil Lleshnikut, kishin zënë pozicion në katundet Sllatinë, Golik dhe Radokal (rajon të Pogradecit) dhe thuhej se ishin duke u përgatitur për të sulmuar fuqitë qeveritare që ndodheshin në Prrenjas e Qukës.

Baba Faja Martaneshi me një fuqi prej 200 vetësh thuhej se para dy ditësh kishte shkuar në katundin Debishtë të Zerqanit për të rekrutuar ushtarë.

2) Fuqitë komuniste në Gramsh ishin duke përgatitur bukë, siç duket për fuqinë që do ju vinte si riforcim.

3) Në katundet Darzezë e Drizë të Gramshit e Sterstan (Gjinar) ndodheshin çeta komuniste të përbëra secila prej 200 vetësh.

Fuqitë e xhandarmërisë dhe ato vullnetare ishin përqëndruar në pozicione që vlerësoheshin të forta. Ndërkohë,” fuqitë vullnetare ishin në nevojë të domosdoshme për municion, për të cilën u demarshue pranë autoriteteve gjermane”.

Situata e 24 orëve të datës 25 gusht 1944 në Qarkun e Elbasanit paraqitej si më poshtë:

1) Rrethkomanda e Librazhdit u informua se në mbrëmjen e datës 24 gusht 1944, një çetë komuniste në Qukës kishte sulmuar autokolonën gjermane që udhëtonte prej Tirane për në Strugë. Në këtë rast fuqia vullnetare e kryesueme prej Lin Kopaçit, nga Qukësi, kishte bërë një përpjekje me çetat komuniste dhe mbas dy orësh fuqia gjermane i kishte thye fuqitë kundërshtare, të cilët kishin marrë drejtim për në katundin Bërzeshtë.

2) Rrethi i Librazhdit lajmëronte se në orën 19.30, të datës 24 gusht 1944, një çetë komuniste e përbërë prej 150 vetësh kishte hyrë në katundin Zdrajshë dhe kishte djegë shtëpinë e kapter Tahir Hoxhës, postëkomandat i Zdrajshës. Personeli i xhandarmërisë që ndodhej atje një pjesë ishte tërhequr e shkuar në katundin Funarë, pranë fuqisë së toger Hasan Balliut, kurse për pjesën tjetër nuk dihej ende fati i tyre. Çeta komuniste kishte marrë drejtimin për në katundet Floq, Orenjë e Gurakuq.

3) Më 24 gusht, ora 23.00, një tjetër çetë komuniste kishte sulmuar katundet Rrashtan e Karkavec (Qukës), por nuk kishin mundur të bënin asnjë dëm, mbasi ishin kundërsulmuar prej fuqive vullnetare të Xhevdet Blloshmit dhe të xhandarmërisë.

  1. Zhvillime në ditët e fundit të gushtit 1944

Më 26 gusht 1944, rethkomandanti të xhandarmërisë së Lushnjës, toger Asllan Mersini, informoi Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë dhe Qarkomandës së Beratit se një fuqi komuniste prej 500 vetësh kishin hyrë në Dumre. Fuqitë e Elbasanit në atë rajon ishin thyer dhe dy kompanitë e batalionit të [Isa] Manastirit, bashkë me dy kompani të Peqinit ndodheshin të impenjuara në luftë.

Rrethkomanda e Peqinit njoftonte autoritetet eprore se më 29 gusht 1944, ora 2.15, një çetë komuniste afërsisht prej 100 vetësh, kishin sulmuar qytetin e Peqinit, në afërsi të kazermës së Armës së Xhandarmërisë, ku banonin ushtarët vullnetarë, si dhe në vendin e quajtur “Vorrezët e Dokës”, 200-300 m afër pjacës, ku ishte përqëndrue një repart ushtarak gjerman që marshonte drejt Elbasanit. Ardhja e komunistëve ishte bërë nga njësitë e Pezës, në verilindje të qytetit të Peqinit.

Sulmi kishte filluar njëherësh nga ana e partizanëve me mitraloza të rëndë e murtajë, që rrihnin pikat e  shënuara dhe vendet e ndryshme në qytetin e Peqinit, kurse partizanët e tjerë të gjithë me automatikë e bomba në dorë, vazhduan luftimet në afërsi. Nga kundërsulmet e mënjëhershme të Armës së Xhandarmërisë dhe ato të vullnetarëve e të ushtrisë gjermane, lufta zgjati deri në orën 4.30, dhe përfundoi me vrasjen e një ushtari gjerman, plagosjen e një tjetri, vrasjen e një mushke e plagosjen e dy kuajve. Dy ushtarë italianë u zunë rob. Nga ana e personelit qeveritar nuk kishte dëmë. Një komunist kishte mbetë i vrarë, kufoma e të cilit u mbajt nga partizanët. Në vend ishte gjetë një armë automatike tip angleze.

  1. Zhvillime me interes gjatë muajit shtator 1944

37.1 Sjelljet e fuqive civile të Alush Leshankut

Më 23 shtator 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se me ardhjen në këtë kryeqendër të fuqive të armatosura civile, komanduar nga major Alush Leshanaku, njoftuar zyrtarisht më 30 gusht 1944, qetësia e brendshme në qytetin e Elbasanit lente shumë për të dëshiruar.

Përherë shfaqeshin ankime nga populli për vjedhje, si hapje shtëpish etj. Por, për më tepër, Komanda e Fuqive Civile kishte rënduar popullin me dhënje të hollash dhe për një kohë fare të shkurtër, me anë të forcës dhe gjoja në formë huaje, kishte mbledhur gati njëzetë mijë napolona.

Arma e xhandarmërisë kishte qenë në pamundësi për të frenuar grabitjet, mbasi ky veprim ishte justifikuar se bëhej për të kënaqur fuqitë civile duke paguar gjoja nga një rrogë ushtarëve civilë, megjithëse ushqimi i tyre ishte siguruar nga komanda gjermane lokale.

Sipas informacionit të prefekti Shehu, “të hollat e nxjeruna nga populli më shumë janë përvetësue dhe nuk janë pague tregtarët, ku ka pasë marrë Komanda e Fuqisë Civile sende për veshëmbathjen e tyre”. Para kësaj gjendjeje, titullari i kësaj prefekture “e shiste si të turpshme qëndrimin e kësaj fuqie në këtë qytet” dhe prandaj çështjen ia parashtronte ministrisë për përkatësi.

37.2 Arratisja e të burgosurve të pandehur për faje politike

Qarkkomanda e Elbasanit raportonte se, më 19 shtator 1944, në orën 20.30, duke qenë roje në kopshtin prapa burgut, xhandar Dhimitër Oga me një palë dara kishte zbërthyer hekurat e një dritareje dhe ishte arratisur bashkë me të burgosurit të pandehur për faje politike: Koço Laro, lindur në Gjirokastër e banues në lagjen Dryni-Kala; Pilo Kaçorri, lindur në Berat; Aleks Tereziu, Ramazan Muhaxhiri, Nazmi Qori, të tre lindur e banues në katundin Rozaj të Peqinit; Qazim Kazani, lindur e banues në lagjen Sherif të Tiranës dhe Guri Lubonja, lindur e banues në lagjen Barç të Korçës.

37.3 Ekzekutimi i komunistit Ahmet Dani

Më datën 12 shtator 1944, ora 8.00, ushtarët gjermanë kapën dhe ia dorëzuan fuqisë së Ballit Kombëtar të Peqinit komunistin e quajtur Ahmet Danin, 25 vjeç, nga katundet e Beratit, të cilit thuhej se i kishin gjetur dokumente që transportonte nga një parti në tjetrën. Nga kjo arsye, pa farë gjykimi, n’orën 19.30, datë 12 shtator 1944, në sheshin e Xhamisë të Peqinit e kishin ekzekutuar.

Fund

Letra e Aleksandër Xhuvanit: Rinia Balliste më sulmoi gruan e vajzat

Përplasjet me partizanët dhe sjellja e ballistëve ndaj tregtarëve

Ardhja e fuqive të Mehmet Shehut dhe sulmi ndaj Pogradecit

Letra e drejtuesit komunist për Mahmut beun: Fitorja jonë po afron

Përgatitja e partizanëve për mësymje në Shqipërinë e Mesme dhe Veri


Etiketa: , , ,

Pas