Shkarkimi i mjekut të QSUT-së, Ilir Allkja, ka shkaktuar mjaft reagime, jo vetëm në politikë, por edhe mes grupesh gazetarësh, aktivistësh e bluzash të bardha.
Duke e konsideruar si një zë të vërtetë e të guximshëm që flet për menaxhimin skandaloz të pandemisë Covid-19 nga qeveria Rama, mesditën e sotme ka marrë jetë një peticion ku ftohet çdo qytetar të bëhet pjesë.
Në formë kundërpërgjigjeje për një akt “kriminal”. Kështu e konsideron aktivisti Genc Sejko shkarkimin e mjekut Allkja, në një kohë kur vendi nuk ka kapacitetet e duhura mjekësore për t’u përballur me fluksin e pacientëve të infektuar.
Kolegu i tij, Erion Dasho hamendëson se pas këtij vendimi fshihet një përllogaritje e pastër e drejtorit të QSUT-së, Enkelejd Joti – reagimi i dobët i opinionit publik dhe atij mjekësor për shkak të festave të fundvitit. Krahas heqjes qafe të një profesionisti që i kundërvihet propagandës.
Ndërsa gazetari Erjon Skëndaj e cilëson dëshmi të ekzistencës së një pseudo-demokracie, ku censura e diktaturës nuk është hequr dhe liria e fjalës ekziston vetëm për lajmet që zbukurojnë qeverisjen.