Ka plot raste në historinë e krijimeve letrare, kur dy autorë, larg njëri- tjetrit në hapësirë, por edhe në kohë, mbase krejt të panjohur ndër vedi, kanë trajtuar ngjashëm të njëjtin motiv. Kjo s’do të thotë se kanë bërë të njëjtën vepër. Përkundrazi, kanë manifestuar secili pjesën e vet të shpirtit krijues, shkaqet e brendshme të frymëzimit, mjeshtërinë dhe individualitetin e vet, materializuar edhe nga pasuritë etnokulturore e sidomos arsenalin e mjeteve të gjuhëve të ndryshme amëtare.
Një rast i tillë haset ndër dy autorë: Mitrush Kuteli dhe Markezi, njëri shqiptar dhe tjetri nga Kolumbia, me veprat respektive “Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Vjeshta e patriarkut”; e para, shkruar nga fundi i viteve ’20 dhe e dyta në mesin e viteve ‘70’. Ngacmime nga realitete të njëjta apo të ngjashme, mbase edhe përjetime deri diku të njëjta ose të përafërta, por produkte artistike të ndryshme, që vënë në lëvizje në mënyra të ndryshme shpirtrat e tyre krijues dhe botën e brendshme të lexuesve të kulturave përkatëse. Rast tjetër, mbase më fragmentar, por interesant për t’u vëzhguar, është proza e Migjenit “Ngjarje pa lëvizje”, përqasur me disa vargje të Majakovskit.
Siç dihet, Majakovski, ky kolos i letërsisë botërore, është kundruar nga bashkëkohësit në dy mënyra: për kritikën dhe ideologjinë sovjetike, ai është revolucionari, ndihmësi dhe bashkudhëtari i progresit sovjetik. Dhe në fakt, ka pasur mjaft pjesë të opusit të tij krijues, ku direkt apo indirekt e ka përligjur një gjë të tillë. Mjaft të kujtojmë poemën “Harasho”. Për Perëndimin, Majakovski është dhe mbetet babai i futurizmit. Një poet gjenial dhe tejet vizionar, një nga individët më të shquar që pushtoi botën me ndikimin e artit të tij dhe u bë i pashmangshëm për gjithë plejadën e poetëve të kohës. Kritiku rus Anatoli Lunaçarski, dallon te Majakovski atë që ai e quan dvojnik, që ka kuptimin e dyzimit të shpirtit të tij: pra gjysma apo një pjesë e këtij poeti të hekurt (“jam metalik”- thoshte vetë ai), ishte pjesa sentimentale, e butë, melankolike e cila për ideologjinë sovjetike ishte e dëmshme dhe e “dëmtoi”, por që nga ky dvojnik ai krijoi edhe perla të tilla, si vargjet e mëposhtme e shumë të tjera:
U afrova
dhe pashë
sy kali…
Rruga u përmbys,
rrjedh ndryshe…
U afrova dhe shikoj…
Pas pikës derdhet pika e madhe
nëpër turi derdhet
dhe humbet nëpër qimet e lëkurës…
Dhe një hidhërim i pakuptueshëm,
një hidhërim i përgjithshëm, i thellë
duke brofur doli prej meje
dhe humbi nëpër shushërimën.
“Kalë, nuk bën kështu,
Kalë, dëgjoni…
Pse mendoni se jeni më të këqinj?
Vashëzë,
të gjithë jemi nga pak kuaj,
secili prej nesh në mënyrën e vet është kalë”.
Tek “Ngjarje pa lëvizje”, e Migjenit:
N’ata dy sy, që aq u ngjajnë syve të njeriut, ishte shkruem fundi i jetës së tij. Nga ata dy sy pikojshin (në mënyrë si ke njeriu!) dy pika të një langu ndërpamës… Si t’ishin lotë. Ata dy sy, të një lande pa ngjyrë, pa lëvizje pa jetë, flitshin për një barrë që then kurrizin, flitshin për mjerimin e krijesave të kësaj bote, flitshin për një kufomë. Kali, bota e mjerueme, e fundit kufomë…
Dhe më pas:
-Jo!- ish përgjegja e shokut tem- se edhe ky njeri ka kamxhikun e vet që fishkllon dhe e rreh ndër ndjenja: asht kamxhiku i pamshirë i jetës…
Në këtë skicë Migjeni ka derdhur, mbase me intensitetin më të lartë dhe në formën më të ngjeshur e tronditëse dhimbjen, fatalitetin, por edhe revoltën, aq sa duket më i pamëshirshëm se kurrë edhe ndaj lexuesit me shpirt të ndjeshëm, mbi të cilin shkarkon një peshë gati të papërballueshme tragjizmi. Si lexues, guxoj të marr me mend se ç’ka ndodhur dhe në çrrethana është shkruar ky tekst. Gjithçka ka ardhur nga tronditja e thellë që Migjenit i ka shkaktuar një realitet i jetuar diku në një rrugë të Shkodrës dhe ka vënë në lëvizje shpirtin e tij të trazuar, ndjeshmërinë e hollë, forcën e vëzhgimit dhe shpirtin e revoltës. Një ngjarje që për shumëkënd nuk përbën ngjarje, por për shpirtin e ndjeshëm të artistit ka peshën e një tragjedie.
Ky spektator i rastësishëm i pamjes makabre është larguar menjëherë, duke marrë me vete britmat shtazarake dhe goditjet vrastare të kamxhikut të njeriut mbi trupin e ronitur të kafshës së gjorë. Këto britma dhe goditje kamxhiku, pasi i ka ndjerë mbi trupin dhe shpirtin e vet, ka nxituar t’i shkarkojë menjëherë tek lexuesi. Sepse teksti nuk ka asnjë ekspozicion apo hyrje, por është direkt një prerje tërthore e realitetit, diçka në zhvillim.
Hyjo, hyjo! Të marroftë zoti! Hyjo të hangërt dreqi- Por më kot… Kali s’ec. Asnjë hap s’mund të bajë para. Barra ishte tepër e randë. Fishkullonte kamxhiku nëpër ajër, binte dhe u njitte për trup të kalit; fishkullonte, binte dhe u njitte pa pra. Kali, ku prej të rrahunit e ku prej peshës, ishte bam përgjysmë ma i vogël. Trupi i djersitun iu ba një lamsh dejesh, të cilët kërcejshin nën lëkurën e trupit të tij…
Siç shihet, ngacmimet e të dy poetëve vijnë nga një realitet thuajse i njëjtë dhe ndjesitë e lexuesit janë mjaft të ngjashme në të dyja rastet; por jo të njëjta. Sepse nuk është e njëjtë optika dhe qëllimi i të dyve. Kali në vargjet e Majakovskit është më shumë objekt, që shfaqet befas në një realitet apo sistem mbase edhe krejt normal, në një shtet ku gjithçka shkon “harasho”, që ka “të sëmurë” vetëm kalin dhe dhimbja shkaktohet nga ndjeshmëria e lartë për qeniet biologjike. Ndërsa sistemi shoqëror migjenian është tërësisht i sëmurë dhe kali i Migjenit është protagonisti i një subjekti që ka për antagonist njeriun, i cili e ka ndërtuar gjithçka së prapthi. Sepse ka ngritur një botë marrëdhëniesh që ka si kryefjalë dhunën, cinizmin, mjerimin shpirtëror e fizik, ku secili është xhelat dhe viktimë e kamxhiku i rri gjithkujt mbi kokë. Një subjekt që me mungesën e lëvizjes së tij prodhon ngjarje, dhimbje tronditëse dhe revoltë.
Përballë dhimbjes melankolike, Majakovski gjen ngushëllimin për vete dhe për kafshën, një sentimentalizëm romantik i përzier me nota gati mistiko- fetare: “Pse mendoni se jeni më të këqinj?Të gjithë jemi nga pak kuaj”. Ndërsa dhimbja e thekshme e Migjenit është vullkanike dhe sublimohet deri në revoltë, deri në shpërthim: “-Ai njeri, që aq e mundon atë kafshë, a e meriton t’i hidhen në shpinë të gjithë ata gurë që janë barra e kalit të mjerë?” Skena e Majakovskit ka vetëm një personazh të përlotur deri në dëshpërim, që nuk dihet nga i kanë ardhur vuajtjet. Por si simbolikë dhe si realitet lotët e kalit kanë peshë tepër të rëndë në të dyja rastet. Janë më tronditëse se lotët njerëzorë. Sa e madhe mund të jetë dhimbja dhe mundimi, kur i shkakton lot dhe bën të qajë edhe kalin? Kjo për forcën për të mbartur, për pandjeshmërinë, por edhe për shkak të karakterit totemik të kalit.
Një krijesë bashkudhëtare e përjetshme e njeriut. Kujtojmë se kalorësit e dikurshëm varroseshin bashkë me kalin. Por jemi në kohët moderne, megjithatë, është e pamundur që në shpirtin e njeriut, qoftë edhe modern, qoftë edhe krijues, si rasti i dy poetëve në fjalë, të mos kenë mbetur gjurmë të perceptimit totemik të kalit. Në skenën e Migjenit është i pranishëm njeriu, pra shkaku. Njeriu që godet dhe goditet; që ka ndërtuar një sistem dhunues dhe që dhunohet edhe vetë nga vepra që ka ndërtuar. Kjo skenë përbën pikën e vështrimit nga ku zbulohet drama e një shoqërie të tërë në ankthin e ngecjes, në ngërç. Një udhëkryq statik, ku nuk bën dobi as mallkimi, as bekimi: “Hyjo! Të hangërt dreqi!” Pastaj: “Hyjo, ta pasha hajrin!”
Kjo ide e një qerthulli kafkian, pa rrugëdalje zhvillohet më tej nga metanarracioni i finales së skicës, ku autori ka shtuar, si zgjidhje stilistike edhe një zë të dytë, shokun e vet fiktiv, si pjesë dialoguese të ndërgjegjes së tij, për të sendërtuar përsiatjet e veta dilematike dhe kontradiktore apo për të justifikuar pamundësinë e daljes nga ky makth ekzistencial: “…unë shikojshe njeriun, kafshën, karrocën, të gjithë të kryqëzuem në një gjendje mundimi e dhimbjeje të jashtëzakonshme dhe nuk dijshe kush ka të drejtë: kali apo njeriu, unë apo shoku i em? Ndoshta dhe kali, dhe njeriu dhe unë dhe shoku i em, ndoshta asnjeri.” Kjo mbyllje përligj përfundimisht edhe titullin, ku të gjithë kanë ngrirë në një kryqëzim dhe dhimbje që duket e përjetshme.
Gjërat ngjajnë si pas një beteje të humbur, një dështim i përgjithshëm, ku të gjithë janë fajtorë ose askush s’ka faj, por humbësi më i madh është autori vetë, ngaqë di ta shijojë më shumë se gjithkush peshën e humbjes dhe i topitur nga pamja, pranon mungesën e një grushti që shemb malin apo të një dore mbinjerëzore që t’i vërë sendet në lëvizje. Kjo është edhe ngjarja e vërtetë, që krijohet nga pamundësia e lëvizjes.