Mapo Letrare

“Zjarre të vogla”, një roman mbi modelin e përkryer të mëmësisë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:00 - 09/08/20 |
Eni Myrtollari

Pas suksesit të romanit “Ditar i pashkruar”, Botimet Living sjellin një tjetër dramë  familjare nga autorja amerikane Celeste Ng. Në faqen e parë të librit “Zjarre të vogla” mësohet se banesa e familjes Riçardson është shkrumbuar dhe se të zotët e katër fëmijët e tyre nuk kanë më një strehë. Megjithëkëtë, humbjet materiale, zjarrndezësi apo zjarrndezësja e vërtetë, arsyet dhe pasojat e këtij zjarri duken se janë fare pak të rëndësishme krahasuar me ngjarjet që sollën deri aty. Pra, ato mund të quhen vetëm një pjesë e vogël e mozaikut që do të plotësohet dalëngadalë në roman.


Rendi në komunitetin e bukur të Shejkër Hajtsit në Ohajo trazohet një ditë, kur në qytezë shpërngulen Mia Uorreni me të bijën, Perlën, një vajzë 15-vjeçare pa baba. Fotografja enigmatike parapëlqen të ndryshojë vendbanim shumë shpesh, të jetojë pa pretendime dhe të hidhet sa nga njëra punë tek tjetra. Në fakt, jeta prej ikanakeje e Miës diktohet jo aq nga natyra e saj prej artisteje në kërkim të muzës, sesa nga një gabim i së shkuarës, që vijon ta përndjekë.


E rritur në Shejkër Hajts – njësoj si autorja Ng – gazetarja Elena Riçardson ka bindjen se çelësi për të qenë nënë e mirë është gërshetim në masat e duhura i rendit, disiplinës, rreptësisë dhe aftësisë për t’u siguruar fëmijëve të mira materiale dhe një shtëpi pa të meta – në dukje. Bindjen nis t’ia tronditë Mia, e cila e ka rritur të bijën me çlirësi dhe duke i falur vetëm dashurinë e pakushtëzuar të një nëne beqare. Përballë këtij modeli, Elena ka dyshime se mos, ndoshta, ajo nuk i do mjaftueshëm të bijtë.


Në anën e Elenës qëndron edhe mikesha e saj Linda Mekullog. Për shkak se ajo dhe bashkëshorti nuk mund të bëhen me fëmijë, vendosin të birësojnë një vajzë me origjinë kineze, që mendohet se është braktisur nga e ëma. Kur mëma biologjike shfaqet sërish, zë fill një betejë ligjore për të fituar kujdestarinë e vogëlushes. Po aty ngrihen edhe disa pyetje thelbësore: cila quhet nëna e vërtetë i një fëmijë të braktisur: ajo që e birëson dhe përkujdeset për të, apo ajo që e sjell në jetë?


Me “Zjarre të vogla”, Celeste Ng ka arritur të sjellë atmosferën e dhjetëvjeçarit të parë të viteve ’90, si dhe të përfshijë shumë prej temave delikate të asaj periudhe (që, për hir të së vërtetës, vijojnë të jenë tabu), si: racizmi, nënat e vetme, aborti i adoleshenteve, çështjet e prindërimit, birësimi i fëmijëve me origjinë tjetër.


Megjithëse autorja ka krijuar disa dyshe të forta ëmë-bijë, por mbi të gjitha portrete nënash me karakter të veçantë, prapëseprapë lexuesit do t’i duhet të vendosë vetë se cili është modeli i përkryer i mësmësisë. Mbase, me gjasë, nuk ka një të tillë.

 

Titulli: Zjarre të vogla nga Celeste Ng

Përktheu: Eni Myrtollari

Botues: Botimet Living

Faqe: 330


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas