Mapo Letrare

Zjarri që na djeg














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:31 - 19/10/19 |
Mark Simoni

Nga Mark Simoni





Një libër shumë më i vjetër se bukinisti plak që e shiste, ishte i djegur në njërin cep. Nuk e di se nga ç’zjarr qe bërë ashtu, por gjithësesi ai libër kishte qenë me fat mbasi pati shpëtuar disi.
M’u kujtua se zjarri i ka rënë shpesh në qafë librit dhe gjërave të tjera që kanë lidhje me dijet. Dhe për dreq dy zjarre më kujtuan Kinën dhe një tjetër, krejt i ngjashëm me ta, (dhe që padyshim buronte po nga e njëjta psikozë), më ktheu në qytetin tim të lindjes.


Ideatori i Murit kinez, Perandori i Parë Shi Huang Ti, përpara se të fillonte punën për atë vepër, donte të ndalte historinë. Dhe që historia të niste pikërisht nga vetë Ai. Për të realizuar këtë ambicie i duhej medoemos që të mos egzistonin në kujtesën e njerëzve tremijë vite kronologji kineze me Perandorin e Verdhë dhe Chuang Tzu, Konfucin dhe Lau Tzu. Dhe për këtë, mallkimi ra mbi librat e të gjashtë mbretërive të tij. U zhbë e u djeg, e u bë shkrumb çdo fletë libri, u vranë kronikanët, u varën në kryqëzime rrugësh dijetarët, u shkatërrua çdo ditar i dinastive. Dhe kështu u fik memorja. Huang Ti, do të ishte që nga ai çast, Perandori i Parë. Latinët thonë: Kohët përsëriten, personazhet ndërrohen.




Bash krejt aty ku pati qenë Perandoria e Huang Ti-së, por shumë më vonë, njerëz të tjerë, urdhëronin nëpër Kinë që të digjej çdo gjë që ka lidhje me Perëndimin. Dhe hidheshin në zjarre, nëpër sheshe, ikona, libra, enciklopedi, rroba të blera dikur, vepra arti, partitura muzike, komplete enësh të dekoruara larg, rekuizita teatrosh të mbetura nga para luftës. Mes tërë atyre zjarreve u hodh për t’u djegur dhe një nga antikuaret më të rëndësishëm në botë, Violina e Kuqe. Violina e prodhuar e vetme, (jo në seri si stradivarët) nga Nikolo Busoti, në vitin 1681 në Kremona, udhëtoi nëpër botë dhe në 1793 mbërrin në vendin e muzikës, në Vienë. Pas rreth 100 vitesh, pra diku nga 1890 është në katedrat e lektorëve të Oxfordit, si pjesë e shpjegimit të historisë së artit. Pastaj se nga humbet e udhëton skutave të errta, nëpër duar të koleksionistëve e matrapazëve që merren me antikuare, për të mbërritur si për fatin e saj të keq, në Shangai të Kinës në vitin 1961, tashmë një violinë e plakur, bërë 180 vjeçe. Dhe bash atëherë kur ishte më e rëndësishme, më e famshme dhe i duhej kujtesës sëbotës së artit, Violinën e Kuqe e hedhin në një nga zjarret e mëdhenj të Revolucionit Kulturor.


Në atë kohë, atëherë kur dridhej nga flakët kineze trupi i Violinës së Kuqe, mijra kilometra larg prej atje, në qytetin tim të lindjes qenë ndezur po të njëjtat zjarre. Njerëzit kujtojnë se si mbërrinin nga të katër anët, nga kishat e fshatrave, karroca të ngarkuara ding me libra. Koleksione, enciklopedi, filozofë të Greqisë dhe Romës së lashtë, poetë, dije nga më të rëndësishmet, histori, kultura arti, jetë plot travaje të artistëve, kompozitorët e mëdhenj, albume arti, libra heraldike me stema dhe logo, koleksione filatelie, letërsi epistolare, modele herbariumesh, vepra të rëndësishme teologjie, kryeveprat e letërsisë antike, histori teatri. Dhe ashtu, të gjitha, pa shpëtuar asnjë, shkarkoheshin dhe me lopatat e mëdha hidheshin në zjarrin që bëhej përherë e më i madh. Rreth atij zjarri, (prushi i të cilit bëri tre ditë të fikej), hidhnin valle të kapur përdore dhe këndonin si këngë xhindësh kapterët e largët. Gëzonin gjithë hare dhe brohorisnin fëmijtë që s’kishin parë kurrë në jetën e tyre zjarr aq të madh. Por diku pas tyre e në heshtje, trishtoheshin disa të tjerë, pikërisht ata që e njihnin më mirë se kushdo shenjtërinë e librit dhe bekimin e tij të dijes.


1


Etiketa: , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas