Aktualitet

Zjarri që Vjosa Osmani ndezi në Tiranë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:56 - 18/12/20 |
Andi Bushati

Vizita e presidentes në detyrë të Kosovës,Vjosa Osmani, mund të shënohet pa frikë si një nga më të tensionuarat që një kryetar shteti ka kryer në këtë vend, ndoshta që nga koha e Nikita Hrushovit.





Askush më parë, nga Serbia apo nga Greqia qoftë, nuk ka ndërmarrë ndonjë udhëtim zyrtar, për të masakruar politikat e ndjekura nga një njeri i vetëm.


Asnjë shef shteti, apo qeverie, nuk ka zbarkuar në Tiranë me një paketë kundërshtuese ndaj të gjitha qëndrimeve të lidhura me Kosovën, që një shumicë parlamentare ka imponuar në politikën e jashtme të këtij vendi.




Po të qëmtohen me vëmendje mesazhet duket sikur Vjosa Osmani ka nisur rrugën drejt Tiranës, jo për të forcuar marëdhëniet mes dy vendeve, por për të azgjesuar Edi Ramën.


Ajo lëvizi çdo gur për të theksuar se afërsia e kryeministrit tonë me Aleksandar Vuçiçin, po e pengon dënimin e genocidit serb të kryer në kohën e Millosheviçit.


Deri këtu, kjo qasje, ndonëse e vë në vështirësi të madhe Ramën, duke kërcënuar planet që ai ka thurur me presidentin serb për të sunduar së bashku rajonin, mund të duket e drejtë dhe racionale. Në situatën ku gjendet, me liderët aktualë të UÇK-së të burgosur në Hagë, Prishtina është në drejtën e saj të kërkojë nga Shqipëria ndihmë në ribalancimin e situatës dhe mbështetje ndërkombëtare.

Pra, ndonëse Edi Rama do paguante gjithçka për ta shmangur adresimin publik të kësaj kërkese, një president i Kosovës ishte i dënuar ta artikulonte publikisht atë.

Por, e keqja është se në axhendën e Vjosa Osmanit, nuk qe vetëm kërkesa për dënimin e genocidit serb.

Ajo u pasua, aty për aty, me një tjetër kritikë të ashpër ndaj një çështjeje të cilës Edi Rama i ka vënë gjoksin. Ajo u kujdes të theksojë se mini-shengeni ballkanik i shërben më shumë Serbisë sesa dy vendeve tona. Ajo e tha këtë pikërisht në Tiranë, në të njëjtin vend ku pak muaj më parë Vuçiç e fshikulloi mikun e tij Edi, se kompleksohej nga liderët e Prishtinës për të mbrojtur këtë projekt të së ardhmes.

Pyetja që shtrohet është: a mund ta evitonte Vjosa Osmani këtë thikë të dytë në shpinë ndaj Ramës? A mund ti kërkonte ajo llogari mbrojtësit të kësaj ideje në Shqipëri, kur qeveria e Prishtinës dhe shumica e partive politike që e mbështesin atë, kanë nënshkruar pro saj në zyrën ovale, në prani të Donald Trump?

Lexo edhe :  SPAK te zyrat e Lapsi.al? Andi Bushati e mohon: I zoti i punës nuk di gjë

Provë se presidentja në detyrë e Kosovës nuk tregoi asnjë dashamirësi për ta kursyer kryeministrin tonë ishte edhe fakti se ajo nuk harroi të dënojë aventurën e e zgjidhjes së konfliktit shqiptar- serb, përmes shkëmbimit të territoreve. Atë që Rama dikur e quajti si një mundësi që të jepet njëherë në jetë, për hir të së cilës ia vlente të kundërshtohej edhe Anxhela Merkel, Osmani e etiketoi si “të tmerrshme”, pa harruar të shtojë se ajo shpërblente Serbinë.

Pyetja tjetër që shtrohet është: a e shmangte dot Vjosa Osmani rihapjen e kësaj teme, kur tashmë të gjithë e pranojnë se është tejkaluar dhe nuk përbën më rrezik? A shërbente për gjë tjetër shtimi edhe i kësaj çështjeje në paketë, veçse për të goditur Edi Ramën?

Natyrisht renditja e këtyre fakteve nuk të lejon të kesh asnjë mëdyshje për qëllimin e vërtetë të vizitës së saj. Duke nxjerrë para publikut duart e lidhura të Tiranës zyrtare për të dënuar genocidion serb, duke denoncuar rolin e saj për mini -shengenin dhe përfshirjen në aventurën e ndryshimit të kufijve, Vjosa Osmani e vizatoi cullak Edi Ramën.

Për ato që tha dhe qëndrimet që mbrojti, askush nuk mund ta akuzojë atë për hipokrizi dhe gënjeshtër. Ajo çka na përplasi në fytyrë është e  vërteta që se luan as topi.

Por, ka një problem. Gjithçka do të ishte OK, sikur ato ti thoshte, qoftë një intelektual i pavarur, apo qoftë edhe një politikan, kryetar partie. Ndërsa, kur artikulohen nga goja e kryetarit të shtetit të Kosovës, pesha është tejet më e rëndë. Sepse askush më parë, asnjëherë, nuk ka zbarkuar në Tiranë duke përdorur të tilla tone dhe me një axhendë kaq të qartë për goditjen e një njeriu të vetëm.

Këtë e bëri Vjosa Osmani duke përmbysur raportet e brishta mes lirisë për të thënë të vërtetën dhe vetëpërmbajtjes që obligon arsyeja shtetërore. Pavarësisht se Edi Rama mund ta meritojë numërimin e të gjitha atyre që u thanë, konkluzioni që do të mbahet shënim nga kjo vizitë është shumë i rëndë.

Ai dëshmon se qeveria e Tiranës është vënë në shërbim të Serbisë kundër interesave të Kosovës. Dhe kjo është tepër për të qenë në axhendën e takimit të çdo kryetari shteti. Aq më shumë kur “miku” që e thotë këtë vjen nga Prishtina.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas