Mapo Letrare

Zoja (tregim)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:07 - 11/07/20 |
Nga Shkëlzen Halimi

Derisa priste jashtë duke i dredhur cigaret një pas një, e shoqja, Zoja, brenda ofkëllinte dhe bënte përpjekje që ato të jenë sa më pak të zëshme. Gjini e ndjente dhimbjen e Zojës, por njëherit e përshkonte një gëzim i brendshëm, sepse priste që për herë të parë të bëhet baba.


-Do të jetë një ditë sa e vështirë aq edhe e gjatë, – tha ai.


Pak para mbrëmjes dëgjoi një zë foshnjeje dhe brofi në këmbë. Ndjeu se nëpër trupin e tij u zvarrit një valë e çuditshme që në ato çaste ia përshpejtoi frymëmarrjen. Lëvizi deri pranë pusit, mori kovën, e mbushi me ujë dhe shpërlau fytyrën e skuqur nga shqetësimi që i shkaktoi ai zë foshnjeje. –Zojë, a je mirë? – pyeti kur iu afrua derës.


-Mirë jam. Eja, hyn brenda se ka ndodhur një mrekulli, diçka e pabesueshme, – u dëgjua zëri i saj.


Me një ndjenjë turpi ai hyri brenda. Pa fytyrën e buzëqeshur të Zojës, e cila e kishte mbuluar foshnjën.

-Djalë është, – tha ajo gjithë gëzim.

-Djalë?

-Po, një djalë me….

Ajo tërhoqi mbulesën, kurse Gjini mbeti i shtangur. Belbëzoi ca fjalë të pakuptueshme.

-Kam frikë, – tha ai, duke e gëlltitur pështymën që iu mblodh në fyt.

-Është bekim i Zotit, – tha Zoja.

Gjini ra në gjunjë. Sakaq iu mbushën sytë me lot. U mbështet në krahun e Zojës dhe për pak çaste i mbylli sytë. Vetëm kur dëgjoi zërin e foshnjës, brofi në këmbë.

-Shpend do ta quajmë, – tha Gjini dhe shpejtoi të dalë në oborr. S’vonoi shumë dhe jehoi koburja.

***

Një vit më vonë Shpendi filloi të flasë aq rrjedhshëm, saqë në fshat askush nuk besonte se është vetëm një vjeç. Ishte tejet i bukur dhe shpesh dëgjohej tek thoshin ka fytyrë engjëlli.

Një natë, teksa Gjini mundohej t’i mbyllë sytë, mendja i shkoi te mungesa e shiut. Kishte kaluar më shumë se një vit që kur toka nuk i kishte ndjerë pikat e shiut. Gjithandej ishin përhapur zërat për thatësinë e madhe që kishte rënë në hapësirat e Dukagjinit.

-Zojë, – iu drejtua në një mëngjes Gjini, – a të kujtohet se kur për herë të fundit ka rënë shi.

-Shiu i fundit rigoi një javë para se të vijë në jetë Shpendi, – tha Zoja, – dhe që atëherë në qiellin tonë nuk është vërejtur asnjë vranësirë. O Gjin, mbi ne ka rënë mallkimi.

(Do ta sjell unë shiun, vetëm të kalojë edhe ndonjë ditë, sa të më përforcohen krahët, mendoi në ato çaste Shpendi, të cilit nga lotët i shndritnin sytë. Nëse ka nevojë qiellin flakë do ta bëj e asaj bishe që i gëlltit vranësirat, kokën do t’ia thyej. Vetëm edhe pak kohë më duhet…edhe pak kohë…)

-Nëse vazhdon kështu pa shi edhe ndonjë ditë, thatësia do të na dërmojë. Do të vdesim nga uria e etja, – tha Gjini.

***

Pothuaj çdo ditë fshatarët ngjiteshin në majat e kodrave dhe soditnin qiellin me shpresë se syri do t’iu kapë ndonjë vranësirë. Pak para mesit të natës ktheheshin të rraskapitur dhe të etur. Një verë të tërë e kaluan duke u ngjitur e duke zbritur nga majat e kodrave. Dikush kishte thënë se duhet të ikin nga ai vend, mbi të cilën, siç thoshin ata, kishte pllakosur një mallkim i rëndë. Në ndërkohë, shumë nga bagëtitë kishin ngordhur, por më e keqja ndodhi kur filluan të përhapen disa sëmundje për të cilat nuk gjendej ilaçi.

-Po shkoj në shtëpi, – i tha Shpendi babait të tij, me të cilin kishin shkuar në malin e afërt (fare pranë shtëpisë) për të prerë dru.

-Hë, ç’ndodhi?

– Nuk e di, ndiej se nuk jam mirë, po më digjet trupi.

– Ik ti dhe unë pas pak do të vij.

Sapo Shpendi u fut në shtëpi, gjithë fshatin, papritmas, e mbuloi një gumëzhimë. Dikush nga ata që kishin dalë në majat e kodrave lajmëroi se në qiell ishin paraqitur disa vranësira.

-Nanë, erdha, – tha Shpendi, – ndiej se kam nevojë për pak gjumë.

U shtri në skaj të odës me fytyrë kah muri. Sapo shndriti vetëtima e parë, ai i mbylli sytë dhe u shkreh në gjumë të thellë. Kur papritmas, vetvetiu u hap dritarja, Zoja që thurte çorape për Shpendin, nga frika lëshoi një piskamë, kurse Gjini që erdhi pa frymë, i habitur, për një çast, u step dhe mbeti me gojë të hapur. Pasi e mbylli dritaren, ai vërejti se Shpendi fare nuk lëvizi dhe kjo e brengosi pa masë, duke menduar se diçka nuk është në rregull me të birin. Iu afrua pranë. Ballin e kishte të ftohtë, akull.

-Djali nuk është mirë? – pyeti Zoja, me të parë fytyrën e pikëlluar të Gjinit.

-Po digjet.

Po në këtë moment u dëgjua një trokitje.

-Nuk ka njeri, – tha Gjini kur e hapi derën.

-Ndoshta na bënë veshët, – foli Zoja.

-Ndoshta….

***

Pleqtë kishin treguar: ishte një ditë e bukur vere. Qiellin e kishte mbuluar një kaltërsi e mrekullueshme, që përshkohej nga fluturushat e fëmijëve që ngjiteshin në majat më të larta të kodrave, pikërisht në ato maja, ku vite më parë, në vitin e thatësisë, ngjiteshin njerëzit, prej nga soditnin qiellin dhe pritnin paraqitjen e ndonjë vranësire, kurse tokën e kishte mbuluar një gjelbërim i paparë deri atëherë, sepse gjithandej kishin shpërthyer fijet e barit dhe gjethet e druve e pemëve.

***

Derisa Zoja po e lante në govatë birin e saj, një plakë, të cilën asnjëherë më parë nuk e kishin vërejtur në fshat, papritmas ishte futur në odën, e cila zakonisht qëndronte mbyllur sa herë që Zoja e lante Shpendin, të cilin kur e kishte pa, siç tregonin pleqtë, i kishte zgurdulluar sytë dhe kishte bërtitur plot trishtim.

-O Zot, o Zot, fëmijë më të bukur kurrë më parë nuk kam pa. O Zot, syri i keq mos e paftë. Po engjëll është, engjëll, o Zot, o Zot…

Sakaq Zoja kishte shpejtuar për ta mbuluar trupin e Shpendit, ndërkaq plaka sa çel e mbyll sytë, thjesht ishte zhdukur. Thuajse e kishte përpirë toka. Zoja me të shpejtë ia kishte veshur këmishën djalit dhe kishte dalë në rrugë për ta kërkuar plakën. Në çast, Shpendi me sy të përlotur i kishte hedhur një shikim qiellit të qetë, i cili aty për aty ishte bërë katran i zi.

Oh, siç tregojnë pleqtë, kur Zoja me vrap ishte kthyer në odë, kishte vërejtur se aty nuk ishte Shpendi. Kishte lëshuar një klithmë të thellë dhe ishte përplasur mbi këmishën e përgjakur të Shpendit, që ishte bërë qullë.

***

Pleqtë tregojnë: babai dhe nëna e kishin kërkuar Shpendin me ditë, javë, muaj e vite…Asnjë gjurmë nuk kishin gjetur. Dhe, sa herë që ishte errësuar qielli, sa herë që ishte dëgjuar bubullima e vetëtima, vetvetiu ishte hapur dritarja e odës, kurse Gjini dhe Zoja, të cilët nuk kishin pasur fëmijë tjetër, kishin vërejtur se shtrati ku dikur, kur merrte moti i ligë, shtrihej Shpendi, bëhej qull.

Dhe gjithnjë shtroja ishte e ngrohtë…


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas