fbpx

Mapo Letrare

Zonja hijerëndë dhe zotëria me llullë





               Publikuar në : 14:35 - 02/11/19 |
Nga Mevlyde Mezini Saraçi

Nga Mevlyde Mezini Saraçi


Heshtja kishte mbërthyer shtëpinë e zonjës hijerëndë dhe zotërisë me llullë, në të cilën vetëm muret kishin mbetur pa u ngrirë nga acari.



Zotëria po mbante llullën në gojë dhe e shikonte tymin e duhanit seç po mbështillej nëpër dhomë, përderisa mendimet i kishte krejt diku tjetër.


Zonja duke mbajtur duart grusht sillej e mbështillej pa ndonjë arsye. Ecte dy tre hapa përpara dhe po aq kthehej prapa pa pasur ndonjë cak. Kandilat e akujve kishin shtrirë mbretërinë e vet rreth e rreth pullazit të shtëpisë dhe shiheshin qartë nga dritarja në formë akulloreje.

Brenda shtëpisë çdo gjë ishte e ftohtë madje edhe bisedat ishin aq të ftohta mbase edhe mungonin fare n ‘ato ditë dimri të acartë.

Askush nuk ua hapte derën t’i shikonte së paku në mos kishin ngrirë nga të ftohtët, por si do ta dinin të tjerët kur heshtja e kishte mbuluar muaj më parë atë shtëpi.

Të gjithë kishin ikur në drejtime të ndryshme, kush me arsye e kush pa asnjë gjurmë. Me rëndësi që kishte kohë që kur shtëpinë e kishte mbuluar hiri e bloza.

Mbase dikur do të kuptonin edhe të tjerët pse kishte ndodhur kështu por nga heshtja e plotë që i kishte mbuluar ata nuk mund t’ua nxirrje asnjë fjalë nga goja.

Ku ta di unë se sa shtëpi mbajnë në brendi vuajtjet dhe mjerimin, injorancën e kohës që po prodhonte idiot të llojit të vet të cilët po hiqnin dorë nga realiteti duke u mashtruar nga përkohësia.

Si do që të jetë çdo fillim do të duhej ta kishte mbarimin e vet dhe në këtë mënyrë edhe dimri duhej të shkonte dikur dhe të shporrej acari edhe nga muret e brendia e asaj shtëpie ku po ngrinin nga të ftohtët që të dy.

Dhe pranvera do të buzëqeshte qoftë edhe me shi e vranësira pasi sadopak do ta këndellte edhe atmosferën e zymtë e cila kishte vënë rrënjë gjatë gjithë dimrit.

Në rrudhat e fytyrave të tyre kishin mbetur gjurmët e jetës së vështirë që përshkohej me dhembje e trishtim por kujtonin edhe ditë të lumtura që kishin pasur dikur.

Mbase dikur do të shpërthen edhe rrëfimi për dimrin e acartë që do të mbahet gjatë në mendjen e tyre!
…Zonja hijerëndë kishte shkundur magjen e miellit dhe kishte mbledhur një grusht miell misri duke përzier me një grusht të fundit miell gruri dhe me të kishte gatuar bukën e fundit! Pasi e poqi bukën u ulën bashkë duke ngrënë bukën, me shumë dhembje për kohët e trishta që ua solli jeta.

Në sytë e tyre ishte vizatuar vuajtja por kishte mbetur edhe një fije shprese se do t’ia dalin disi që të mbijetojnë me krenarinë qe i kishte mbajtur përherë në jetë.

Në qetësinë absolute që po mbretëronte në dhomën e madhe dhe të ftohtë, në xhamat e dritares u përplas një zog i plagosur i cili kishte humbur drejtpeshimin gjatë fluturimit.

Ai u ngrit nga sofra dhe mori pjesën e tij të bukës dhe duke folur si nëpër dhëmbë e hapi derën e ballkonit duke e bërë grimca copën e bukës dhe ia vuri zogut në një pjatë. Pasi hyri brenda e mbylli derën, u ndal para dritares dhe po e shikonte zogun i cili u afrua pranë pjatës me grimca buke dhe po hante me rrëmbim.

Ajo e ndau një pjesë nga copa e saj e bukës dhe i tha:

Kthehu në sofër, ja ku e ke pjesën tënde!

Jo, grua!, faleminderit! Kësaj radhe pjesa ime i takoi zogut shtegtar dhe po ngopem duke e shikuar tek po ha dhe po i shkundë krahët nga gëzimi.

Përsëri ra heshtja!

Ajo e përfundoi ngrënien dhe me një leckë të pastër kuzhine e mbështolli pjesën e bukës të cilin pak më parë ia ndau të shoqit.

Për pak ra terri dhe dhomën e mbuloi errësira pasi kishte kohë që në këtë shtëpi nuk kishte as korrent pasi nuk kishin se si ta paguajnë.

Ai nxori nga xhepi shkrepësen me të cilën e ndezi qiriun dhe e vuri në një enë të madhe në mënyrë të që mos rrjedhë në tavolinë!

Zonja që po lexonte një roman u afrua pranë qiririt të ndezur dhe në vend se të vazhdonte leximin po i fërkonte duart sa për ti vakur pasi gati iu kishin ngrirë nga të ftohtët.

Përveç hukamave të shpirtit dhe frymëmarrjes nuk dëgjohej asgjë në dhomë.

Mbese edhe fjalët nuk kishin ndonjë kuptim kur heshtja kishte shtrirë mbretërinë e vet shumë javë më parë dhe zor se do ta mundnin.

Soba e zjarrit ngjante në një artefakt të ndonjë muzeu pasi kishte kohë që nuk ishte përdorur pasi edhe ashklat e fundit kishin mbaruar!

Me batanijet e vjetra u mbështollën të dy dhe sa për të thënë diçka ai e pyeti të shoqen:
A thua se ky mot i acartë do të mbaroj më shpejt?

Po ku ta di unë e mjera kur as një lajm nuk mund ta ndjekë dhe në shtëpinë tonë nuk jen dot njeri së paku të na jep shpresë se nuk do të ngrimë.

Kaq ishte biseda e tyre dhe qiriu po digjej në atë enë të madhe duke u shkrirë dhe lëngu po rrjedhtë në formë loti të valë.

Ajo shfletoi librin duke kërkuar faqen e shënjuar ku kishte mbetur me lexim dhe duke rrudhur sytë mezi po i shihte shkronjat. Më shumë për ti zënë sytë se sa për ta kuptuar rrëfimin e librit.

Pasi erdhi në fundin e vet edhe qiriu, që të dy iu dorëzuan errësirës së plotë edhe pse nuk ishte kohë gjumi dhe u shtrinë në shtratin e ngrirë pa folur asnjë fjalë.

Mbase tani ishin zgjuar ëndrrat dhe shpresat dhe po fluturonin në heshtje nëpër mendimet e të dyve! Ku ta di se çka po piqej në mendjen e tyre dhe si po i lidhnin shpresat për dalje nga kriza që i kishte kapluar…

…Jashtë po binte borë dhe vazhdonte një acar që nuk mbahej mend që moti, por acari që kishte krijuar mbretërinë në dhomën e ftohtë e pa ngrohje ishte edhe më i tmerrshëm se sa ai përjashta.

Të dy ishin bërë si dy cunga të djegur dhe gjithë hapësirën e mendimeve ua kishte pushtuar heshtja. Madje më nuk vinin as zogjtë të trokisnin me sqep në dritare, pasi muzgu kishte zaptuar hapësirën më herët se zakonisht.

E kush do t’ua hapte gojën ndonjërit prej tyre kur ngjanin në statuja të vjetra e të harruara.
Sado që mundohej e shoqja të hapte bisedë, asnjë mendim i vetëm nuk i dilte nga goja pasi kishte ditë që pikëllimi e kishte molisur.

Madje as zilja e telefonit nuk bënte si më parë pasi nga kjo shtëpi kishin mbaruar interesat e njerëzve të cilët iknin sikur nga fantazmat.

Zhurma e kamionëve dhe mjeteve të rënda të cilat lëviznin orëve të vona vinte si një uragan pasi asnjë zë tjetër nuk dëgjohej në dhomë.

Kaq shumë u flisnin shikimet sa dukej se jeta e tyre do të përfundonte vetëm në këtë mënyrë pasi aq bukur e kuptonin thellësinë e vuajtjeve të njëri tjetrit. Mijëra mendime përplaseshin mes vete dhe sërish i mundte heshtja. Nga muri përballë shihej një merimangë e cila kishte rënë në rrjetin e vet dhe po luftonte për jetë apo vdekje. Ishte ngjarje e dhembshme ta shikoje atë insekt kaq të vogël që luftonte për të mbijetuar, pikërisht luftonte me rrjetin të cilin e kishte thurur vetë. Ngjante si në fjalët e urta që tregonin se kushdo që ia hap gropën tjetrit bie vetë.

Ashtu e molisur këmbadoras u ngrit zonja e shtëpisë, mori një copë letër dhe e ofroi pranë merimangës që të ngjitej dhe ta shpëtonte nga rrjeti i saj.

Mezi ia doli ta bënte këtë veprim por tani e mbuloi një hall edhe më i madh pasi i dhembej insekti i pafajshëm i cili gati që nuk e përfundoi jetën të cilën po ashtu nuk kishte forcë ta nxirrte jashtë në acar edhe pse edhe brenda nuk e kishin më mirë.

Sido që të jetë ajo e vlerësoi se një krijesë sado e vogël e cila u bënte shoqëri të mos e largonin nga dhoma.

Bashkë me letrën e shqyer e vendosi tek dritarja dhe më kurrë se takoi atë merimangë.

Tani loja me të mbaroi dhe kishte hall nga të nguliste mendjen që ta largonte realitetin e hidhur nga shpirti i dërmuar.

Zotëria sa për të treguar se është ende zgjuar u kollit disa herë dhe ra sërish heshtja.

Asgjë nuk e ndryshonte gjendjen e rëndë madje as moti nuk ndërronte.

Në qetësinë e tmerrshme që i frikësonte, shkelnin nëpër dyshemenë e ngrirë dhe të pluhurosur sikur të ishin rrugë të pashkelura gjatë.

Deri vonë u dëgjua kollitja e kohëpaskohshme e tij dhe më asnjë lëvizje. E kishte marrë gjumi ashtu siç qe i ulur disa orë përpara se të binte nata.

Në errësirë të plotë zonja duke prekur objektet me duar sa për të mos zënë nëpër karriget e tryezën e kuzhinës parakaloi si me frikë deri tek këndi tjetër i dhomës dhe ra si e alivanosur.

Nata po kalonte e heshtur dhe pa as një dëshmitarë tjetër i cili mund t’ua ndërronte rolet apo së paku t’ua nxirrte ndonjë fjalë nga goja.

Pasi kulmet e ngrira shkëlqenin nga acari i madh grimcat e akullit përplaseshin në dritare edhe mëngjesin e sollën më herët në shtëpinë e harruar nga të gjithë përveç çiftit, të cilin po e kafshonte dimri i tmerrshëm e i acartë.

Bashkë me agun u zgjuan edhe shpresat për një ditë më të mirë se e kaluara por ishte e kotë pasi asgjë nuk e ndryshonte fatin e kësaj familjeje përveç të ftohtit që bëhej edhe më i padurueshëm.

Së paku mund të lexonin ndonjë roman apo ndonjë gazetë me lajme të vjetruara sa për ta mbajtur të freskët kujtesën dhe për ta bindur veten se jeta e tyre nuk do të përfundojë në këtë mënyrë të heshtur. Është çudi se si të gjitha lëvizjet i bënin pa mundur të flasin asnjë fjalë e cila nuk mund tu dilte nga nofullat e ngrira si akulli…


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas