Aktualitet

Zot na jep forcë të mbajmë gojën mbyllur kur nuk dimë çfarë themi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:52 - 29/04/20 |
Nga Gjon NDREJA

Sapo përfundova së lexuari shkrimin e deputetit të Partisë Socialiste me titull:Krizën duhet ta përballojmë të gjithë bashkë!”, botuar në gazetën “Panorama” të datës 27.04.2020 dhe shija e këtij shkrimi më imponoi titullin e mësipërm, të huazuar nga bibla.


Vetë autori thotë që në krye të herës se, “kësaj here e panjohura është se nuk dimë çfarë nuk dimë”. Përveç se, lojë fjalësh, kjo dhe përmbajtja e shkrimit zbulon të vërtetën se autori i tij, është diletant në fushën e financave publike. Duke lexuar këtë shkrim më erdhi ndër mend një mendimtar i shquar i fushës së ekonomisë dhe filozofisë që thotë afërsisht kështu: “Përse doktorit nuk guxon kush t’ja prekësh bisturinë, ndërsa ekonomistit ja rrëmbejnë lapsin nga dora dhe më të, bëjnë prova të guximshme”. Një nga këto prova, është edhe shkrimi i z.Ilir Beqaj.


Nuk jam shumë i sigurtë për formimin e tij profesional, por me sa jam në dijeni, ka mbaruar arsimin e lartë për informatikë, ndërkohë që, falë angazhimit tij në politikë ka pasur disa funksione të rëndësishme menaxheriale si në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ashtu edhe si Ministër i Shëndetësisë. Për hir të së vërtetës, në të dy këto pozicione ka tentuar të bëjë ndryshime por me ndryshimet e tij ka shkaktuar më tepër konfuzion, se sa ndryshime strukturore, rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe politikave zhvilluese, pasojat e të cilave janë prezente edhe sot e për shumë kohë.


Nuk i di motivet nga është nisur autori i shkrimit për të prezantuar ato që  ai i quan ide, mbase nga mungesa e protagonizmit të tij në kohët e fundit apo kjo është shfaqje e krizës së tij të brendshme, apo edhe kësaj radhe, idetë e tij janë “sponsorizuar” nga grupe të caktuara interesi. Por kur grupet e interesit arrijnë të sponsorizojnë ligje të caktuara si ky që propozon autori i këtij shkrimi, ndodhemi në formën më të lartë të korrupsionit, në atë që rëndom  quhet si kapja e shtetit.


E themi këtë për faktin se shpesh ky individ që mban mandatin e deputetit, ka guxuar të ju marrë nga dora lapsin jo vetëm ekonomistëve por edhe juristëve dhe të shfaqet si gjithollog, duke ndërmarrë nisma ligjore në favor të grupeve të caktuara, të cilat kanë dështuar me sukses, falë pjekurisë dhe profesionalizmit të komisioneve parlamentare, duke mbetur kështu i vetëm dhe pa përkrahje, në nismat e tij.

Kësaj radhe ai kërkon të prezantojë një dimension tjetër profesional të tij, në fushën e financave publike dhe duke kërkuar sërish “protoganizëm”, nuk nguron të bëjë propozime absurde nga pikëpamja profesionale. Ruajna zot nga gjithollogët. Ai e sheh zgjidhjen e krizës nga këndvështrimi i një llogaritari në një sektor ekonomik në hozrashot, pa arritur as në nivelin e një ndërmarrje ekonomike për të cilat bën me dije se ka studiuar. Por ekonomia nuk është një ndërmarrje e vetme, madje ajo nuk mund të studiohet as si e një vendi të vetëm. Në kohën  e sotme kur globalizmi është një tendencë botërore, ndikimet në ekonominë e një vendi janë shumë komplekse dhe zgjidhjet e krizave nuk mund të ndërmerren pa marrë parasysh këto ndërvarësi.

Pa dashur të bëj analizën e shkrimit nuk mund të mos evidentoj faktin se nga pikëpamja publicistike ai të lë shumë për të dëshiruar, për shkak të konfuzionit të problemeve dhe prezantimit të tyre, pyetjeve të lëna pa përgjigje, mendime të hedhura kuturu, fjali të filluara e të papërfunduara, koncepteve të padëgjuara deri më sot, si dhe siç është bërë modë, përdorimit të fjalëve të huaja të panevojshme, si argument për të mbështetur tezat e tij. Kaq konfuzion ka në këtë shkrim sa të duket si një njeri që flet përçart, ku herë flet për krizën financiare dhe instrumentet për zbutjen e saj dhe herë flet pa lidhje për shkatërrimin e socialdemokracisë europiane nga kjo krizë apo nga krizat e mëparshme.

Është e vështirë të merret vesh se çfarë ka dashur të thotë autori në këtë shkrim ku pretendon se ka zbuluar mekanizmat e zgjidhjes së krizës, por po ndalem në thelbin  e shkrimit   propozimeve të tij, të cilat konsistojnë; në uljen e pagave të punonjësve të sektorit privat dhe publik me 10 përqind, uljen e pensioneve suplementare me 25% si dhe ndalimin për shpërndarjen e dividendit.

Por fantazia e shfrenuar e tij nuk ndalet këtu, ai arrin deri aty sa të propozojë që kontributet e sigurimeve shoqërore të llogariten mbi bazën e pagës minimale dhe këto paga të përjashtohen nga taksimi mbi të ardhurat duke cënuar të drejta të rëndësishme perspektive të të punësuarve, gjë e cila do ta fuste edhe më tej në krizë sistemin e sigurimeve shoqërore. Dhe nuk ngurron të bëjë llogaritje e të përftojë efekte pa marrë parasysh pasojat ekonomike që mund të shkaktojnë në kuptimin makroekonomik.

Në fund të fundit të gjitha këto propozime synojnë sipas tij të krijojnë një fond prej 8,7 miliard lekë si fond garancie për emergjencat, i cili të përdoret nga një autoritet publik. Përkundër kësaj që thotë autori, buxhetit i shtetit ka në strukturën e tij fondin rezervë dhe atë të kontigjencës të cilët janë të destinuara të mbulojnë shpenzime të paparashikuara përfshirë edhe krizat.

Thelbi i zgjidhjes së krizës, sipas tij, qendron në instrumentet administrativë dhe në ndërhyrjen e shtetit në ekonominë e tregut të lirë. Por krizat ekonomike historikisht janë zgjidhur e do të zgjidhen vetëm me instrumente ekonomikë dhe jo me masa administrative. Vërtet kriza e pandemisë globale është shoqëruar dhe mund të shoqërohet edhe më tej më rënie të ritmit të rritjes ekonomike, madje institucionet financiare ndërkombëtare kanë bërë edhe parashikime për këtë.

Ulja e ritmit të rritjes ekonomike mund të çojë edhe në recension por ngadalësimi i rënies, është parashikuar të realizohet me injektimin e parave në ekonomi nëpërmjet financimit të bizneseve, apo qoftë edhe thjesht me dhënien e pagave pa papunuar, e deri edhe tek shtypja dhe hedhja në treg e kartëmonedhave, si një masë ekstreme. Këto instrumente janë përdorur nga të  gjithë shtetet e përfshira në këtë krizë.

Në këtë proces është i pashmangshëm rritja në një farë mase e borxhit publik për të përballuar rënien e prodhimit por në asnjë vend të botës dhe në asnjë rast nuk është parë që gjallërimi i ekonomisë të bëhet duke zvogëluar pagat, pensionet, kontributet e sigurimeve shoqërore apo duke ndaluar shpërndarjen e fitimit apo të dividendit. Hamendësimet e autorit për të krijuar ato që ai i quan instrumentet financiare dhe që në fakt nuk janë aspak të tillë, janë në kundërshtim me të gjitha teoritë ekonomike të zhvilluara deri më sot në botë. Këto masa të propozuara nga autori çojnë në rënien e mëtejshme ekonomike dhe madje në shkatërrimin e saj.

Ato në thelb frenojnë konsumin dhe në fund të fundit rritjen ekonomike. Sipas të gjitha teorive ekonomike përjashtuar “kësaj të fundit” të propozuar nga autori, rritja ekonomike ka tre shtylla kryesore; Rritjen e punësimit, nëpërmjet uljes së papunësisë, rritjen e të ardhurave nga taksat, nëpërmjet rritjes së shpenzimeve dhe shërbimeve publike dhe rritjen e konsumit nëpërmjet nxitjes së investimeve. Përkundër këtyre teorive autori me idetë e tij kontraverse propozon, rritjen e papunësisë ose më pak para për të punësuarit, nuk flet asnjë fjalë për mundësinë e rritjes së të ardhurave apo përmirësimin e shërbimeve publike ashtu siç shprehet, jo për nxitjen e konsumit por për “ shtrëngimin e rripit”.

Sigurisht që, gjithmonë por veçanërisht në kohë krize është e nevojshme të racionalizohen burimet publike duke i përdorur ato me më shumë kursim dhe efektivitet. Në këtë kuadër, si  një nga rrugët më efikase për të zbutur efektet e kësaj krize mund të shihet, së pari rritja e të ardhurave nga taksat dhe tatimet nëpërmjet vendosjes së një disipline më të rreptë në administrimin fiskal dhe uljen e informalitetit, nxitjen e prodhimit vendas dhe të investimeve ku shteti të marrë përsipër disa kosto duke krijuar lehtësira apo përdorur edhe instrumente financiarë si subvencione apo politika të tjera nxitëse. Nga ana tjetër, në kushtet kur dihet që mekanizmat e mësipërme nuk e japin menjëherë efektin në rritjen ekonomike, pse jo mund të shikohet me kujdes edhe racionalizimi ose pakësimi i shpenzimeve operative në atë masë, të cilat, nuk prekin thelbin e funksionimit të aparatit, duke i rialokuar ato në drejtime më të domosdoshme dhe efektive që të nxitin konsumin.

Autori i shkrimit bën një propozim, në të cilin mbështet gjithë idetë e tij për zgjidhjen e krizës dhe që ka të bëjë me uljen e pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe të pensioneve, madje ka përcaktuar edhe një masë që i konvenon aritmetikës së tij për krijimin e një fondi që do të administrohet nga një autoritet publik. Kjo, është kulmi i marrëzisë. Kur një qeveri arrin të prekë pagat dhe pensionet ajo ka prekur fundin e saj dhe ky do të ishte treguesi më i qartë i paaftësisë së saj për të menaxhuar një situatë, apo le ta quajmë edhe krizë.

Do të ishte më e arsyetuar nga pikëpamja ekonomike dhe sociale në logjikën e autorit të shkrimit, që në të gjithë këtë marrëzi, autori të kishte propozuar p.sh. sekuestrimin e depozitave të kursimit të qytetarëve apo të biznesit (mos o zot), se sa prekjen e pensioneve. Në pikëpamje ekonomike, pensionet nuk janë gjë tjetër veçse shuma të avancuara nga punonjësit, të hequra nga të ardhurat personale gjatë gjithë kohës së punës, për ti përdorur gjatë kohës që personi nuk është në gjendje të punojë. Nga pikëpamja sociale, prekja e pensioneve është një gjest shumë i rëndë, sepse drejtohet kundër shtresës më të diskriminuar të shoqërisë tonë.

Duke e konsideruar gjithë ekonominë si një sektor hozrashoti, nuk është e vështirë të vihet re se idetë e prezantuara prej tij, janë tërësisht në kundërshtim me sistemin e ekonomisë së tregut të lirë. Pa ju dridhur qerpiku ai propozon që shteti të ndërhyjë në shpërndarjen dhe përdorimin e fitimit, në ndalimin e përdorimit të dividendëve apo në krijimin e fondeve të caktuara që edhe pse në pronësi të biznesit, të menaxhohen nga “autoriteti publik”. Këto minojnë rendin kushtetues të vendit, nëpërmjet cënimit të sigurisë juridike të shtetasve.

Shoqëria jonë në tërësi, mazhoranca qeverisëse, po ashtu edhe opozita, kanë në gjirin e vet  akademikë e profesionistë të spikatur të fushës së ekonomisë, që nuk kanë ngurruar të japin herë pas here mendimet e tyre për përmirësimin e qeverisjes edhe në këtë kohë krize, mbi të cilat ato duhet të mbështeten edhe më tej, dhe të bojkotojnë publikisht diletantizmat e tipit gjithollog.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas