Gjykata e Apelit Administrativ ka shtyrë për herë të dytë vendimin për avokatin Lulzim Alushaj, që kandidon për Kryeprokuror. Mungesa e njërit prej gjyqtarëve ka bërë që vendimi të shtyhet për në 25 Tetor. Lulzim Alushaj u skualifikua nga KLP nga gara për kryeprokuror, pasi nuk plotësonte kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur.
Ky vendim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e larguar atë nga gara, u ankimua nga avokati Alushaj.
Vendimi për Alushajn po mban peng edhe procesin e KLP për të vijuar hapat e mëtejshme për kandidatët për kryeprokuror. Kandidatë për postin e Kryeprokurorit janë prokurori i Krimeve të Rënda Olsjan Çela, prokurorja e Apelit të Tiranës Fatjona Memçaj, si dhe kryeprokurorja aktuale Arta Marku.