Aktualitet

Zvarritja e reformës në drejtësi, a është Rama përfituesi më i madh?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:57 - 05/03/20 |
Mapo.al

Prej 4 vitesh tashmë, kryeministri Edi Rama po luan në maksimum kartën e tij më të fortë politike, reformën në drejtësi. Dhe ja ka dalë të marrë kredite pa fund, edhe pse po të bësh një analizë të rrethanave dhe fakteve, ai ka qënë pak, ose aspak i sinqertë në këtë drejtim.


Po askush nuk mund ta mohojë që ka luajtur mjaft mirë. Veçanërisht me ndërkombëtarët, duke u pozicionuar në atë mënyrë, që të duket në krahun e drejtë të orientimit politik dhe në kahun e duhur të historisë.



Duke qënë se shpallja si avokat i reformës në drejtësi i ka sjellë jo pak përfitime, Edi Rama ka bërë të pamundurën që ky moment të shtrihet sa më shumë në kohë. Sa më shumë zgjat formësimi i plotë dhe vënia e saj në zbatim, aq më shumë ai del si dashnor i drejtësisë, dhe aq më shumë, kritikët dhe kontestuesit, dalin si armiq të saj.


Në këtë kuptim, opozita ka bërë gabimet e saj politike, ku edhe pse ka kundërshtuar me argumenta konkrete dhe të qëndrueshme, nga ana strategjike, ka rrezikuar të duket sikur nuk e do reformën, duke marrë mbi vete shemrinë e ndërkombëtarëve.

Por, prej korrikut të 2016, kur u miratua me 140 vota paketa kryesore kushtetuese e reformës në drejtësi, vonesat më pas, dhe betejat e konfliktet i ka shkatuar dhe frymëzuar vetë Edi Rama.

Ai nuk ka pasur pengesë opozitën për të ngritur organet e reja të drejtësisë, apo për të plotësuar trupat e gjykatës së lartë dhe kushtetuese. Opozita nuk ka patur asgjë në dorë për të ndalur këto procese.

Edi Rama nuk ka patur asnjë pengesë për të ngritur sa më shpejt SPAK, apo BKH.

Vonesat thjesht i kanë volitur.

Jo rrallë, ai i ka shtuar vonesave edhe luftën politike.

Merrni rastin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri e ka krejt në dorë të plotësojë 6 vendet që i kontrollon vetë. 3 anëtarët e Kuvendit, dhe 3 që vijnë nga Gjykata e Lartë. Por ai dukshëm, zgjodhi të përplasej me presidentin për vakancat që i takojnë atij. Sepse një përplasje e tillë, prodhon momentin politik që ai dëshiron.

Që ai të shfaqet si promotor, e të tjerët si bllokues.

Një mbyllje sa më e shpejtë e reformës në drejtësi, do ta linte Edi Ramën ka kartën që valëvit në publik, dhe pa fabulën e tij politike dhe elektorale. Dhe po ashtu, do ta bënte më të vështirë që ai të kishte çdo gjë nën tutelë. Dhe këtu vijmë tek arsyeja tjetër, pse ndoshta i interesuari më i madh për zvarritjen, është ai që del në publik si avokati më i madh.

Një drejtësi e re, e pavarur dhe funksionale, do të ishte më së pari dhimbje koke për vetë mazhorancën dhe për qeverisjen e Ramës. Janë plot afera të denoncuara e të kontestuara, ku një hetim dhe gjykim i pavarur do të shkaktonte jo pak tërmet tek rilindja.

Një rast ekzemplar është përshembull tenderi i famshëm i Unazës së Re, apo i Ost, ku një kompani fantazëm fitoi 40 milionë euro, dhe aktualisht, edhe pse kontrata për fat të mirë nuk u zbatua, askush nuk është nën përgjegjësi penale.

Ka plot raste të denoncuara nga opozita, apo nga media investigative, që do të ishin lehtësisht dosje penale korrupsioni, nëse do të kishim me kohë një SPAK eficent. Për të mos harruar këtu, krimin zgjedhor, dosjen e famshme 184, apo 339, që me një drejtësi të fortë e të pavarur, do të sillnin jo pak goditje në themelet e qeverisë.

Të gjitha këto, janë argumente për të kuptuar se përfituesi i madh i zvarritjes së reformës, është në fakt, vetë kryeministri Rama.

Mapo.al


Etiketa: ,

Pas